Rrjetet sociale janë një mënyrë e nevojshme që bizneset të kenë sukses, sidomos ato të cilat i kanë gratë e pranishme, të kenë mundësinë të zhvillohen tutje, të rrisin numrin e klientëve, të shtojnë numrin e produkteve dhe të kenë një prani më të besueshme në rrjetet sociale. Kështu u tha sot në Prishtinë, gjatë trajnimit me gratë që prodhojnë ushqime të shëndetshme, me temën “Shitjet Online”.
Në kuadër të këtij projekti, i cili zbatohet nga organizata joqeveritare “Qendra për Inovacione dhe Zhvillim”, dhe financohet nga Agjencia Sllovake për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar “SlovakAid”, shumë nga gratë ndanë eksperiencat e tyre me produktet që ato përgatisin.
Qëllimi i këtij trajnimi është që t’i mbështes bizneset e grave që prodhojnë ushqime të shëndetshme, duke treguar më shumë për mënyrën se si t’i promovojnë produktet e tyre në rrjetet sociale.
Ato që mësuan nga ky trajnim ishin gratë që kanë biznese të tyre e të cilat merren me përpunimin e pemëve dhe perimeve, bletari e produkte të tjera.
Qytetarja Nadire Hasani nga Komuna Mitrovicës, derisa u shpreh e lumtur nga ato që u shtjelluan në trajnim, shtoi se në të ardhmen do të promovojë produktet e saj sa më shumë në rrjete sociale.
“Merrem me përpunimin e pemëve dhe perimeve qe 12 vite. Kam biznesin tim, është në Frashër. Aty punojmë me ajvar, turshi…Këto trajnime janë shumë të rëndësishme për çdo biznes…(promovimi i produkteve në rrjete sociale) është një metodë shumë e mirë, sepse mund ta shesësh online përmes rrjeteve sociale”, tha ajo.
Se ky trajnim është i rëndësishëm për të mësuar për promovimin e biznesit në rrjete sociale dhe hapjen e tyre, e tha edhe Nerxhivane Krasniqi nga Komuna e Vushtrrisë, e cila merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve dhe produktet e qumështit.
“Ky trajnim ka një vlerë të madhe, sidomos për start-up dhe ne që ushtrojmë biznesin në vise rurale, sepse përmes rrjeteve sociale paskemi mundësi të shesim më shumë online, pra ia vlen. Unë kam filluar, por shumë pak me shitje online, por me këto që mësuam gjatë trajnimit, do të na hynë në punë edhe më shumë…Merrem me përpunimin e pemëve dhe perimeve dhe produkte të qumështit qe dy vite, së shpejti do të bëjë biznes individual për shkak se kam nis të zgjerohem edhe në treg”, tha Krasniqi.
Linda Baleta, trajnere në këtë projekt, u shpreh se prania online dhe shfrytëzimi i kanaleve digjitale për marketing dhe shitje, është qëllimi i trajnimit të sotëm.
“Prania online dhe shfrytëzimi i kanaleve digjitale marketing dhe për shitje, ky është qëllimi i trajnimit sot me një grup të grave të cilat janë pronare të bizneseve të tyre, kryesisht në fushën e përpunimit të ushqimit, bletari dhe të tjera…Kemi trajtuar rëndësinë e pranisë së tyre online, përmes kanaleve të ndryshme si mjet për fuqizimin e brendit por edhe për rritjen e shitjeve të tyre”, tha Baleta.
Ndërkaq ky trajnim me mbi 20 gra është mbajtur edhe online. Ndryshe, cikli i trajnimeve do të vazhdojë edhe me gratë në fushën e biznesit nga e gjithë Kosova, në të cilët do të ketë informacione dhe këshilla edhe më të detajuara sa i përket bërjes sa më të mirë të biznesit.
Projekti, ” Mbeshtetje për gratë në Zhvillimin e bizneseve të tyre” – zhvillohet nga Qendra për Inovacione dhe zhvillim/CFID dhe mbështetet financiarisht nga Agjencia Sllovake për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkmobëtar/SlovakAid.