CFID organizon punëtori dy ditore për Transparencën  në drejtësi, me zyrtarët e sistemit prokurorial e gjyqësor

05/22/2024

“Forcimi i transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, është tema për të cilën po diskutojnë rreth 30 zyrtarë për informim nga sistemi prokurorial e gjyqësor në Kosovë.

Kjo punëtori është organizuar  nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID), ku pjesëmarrësit janë zyrtarët për informim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, të gjitha prokurorive themelore, si dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe gjykatave në vend.

Në sesionin e parë të kësaj punëtorie u diskutua për komunikimin me median dhe publikun në epokën digjitale.

Menaxheri i projektit, Fadil Miftari tha se po synojnë përmirësimin dhe rritjen e transparencës së sistemit të drejtësisë në raport me mediat dhe publikun.

“Objektivi kryesor i punëtorisë apo qëllimi kryesor i saj është që të hapim një lloj debati brenda për brenda këtij aktiviteti dhe të shohim se si mund të përmirësohet dhe forcohet transparenca në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Projekti ynë jep një mbështetje dhe promovon transparencën në të gjitha institucionet publike, mirëpo ky aktivitet është i fokusuar ose i personalizuar vetëm për të dy këto mekanizma, sistemin e drejtësisë, sistemin prokurorial dhe sistemin gjyqësor. Në fakt, siç po e sheh këtu është një numër i konsiderueshëm, kryesisht zyrtarë, të cilët i udhëheqin dhe punojnë në zyrën e informimit”, deklaroi ai.

Në sesionet e kësaj punëtorie, Fadil Miftari shtoi se kanë qëllim të diskutohet nëse këto dy mekanizma të drejtësisë janë të gatshme të qasen me publikun në epokën digjitale.

“Të dy këto mekanizma nuk kanë filluar ndonjë iniciativë që të përdorin format digjitale të nxitjes apo rritjes se transparencës karshi publikut. Këto secila komunikojnë, secila i kanë uebfaqet e tyre, mirëpo akoma është në fazën e komunikimit tradicional. Mirëpo, siç dihet sot kemi një gamë të gjerë të formave të reja të komunikimit që janë më të shpejta dhe krijojnë kontakt shumë më të afërt drejtpërdrejt me publikun, pa qenë dikush në mes… Këtu u vërejt që akoma nuk kanë marrë ndonjë hap substancial që komunikimi të jetë drejtpërdrejt me publikun”, tha Miftari.

Punëtoria, e cila po mbahet në Durrës, do të vijojë sesionet edhe ditën e nesërme, ku do të diskutohet për menaxhimin e komunikimit ndërinstitucional me publikun në situata krizash.

Kjo punëtori me temën “Forcimi i transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, po mbahet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID) në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe financohet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë- UNMIK.

Projekti “ Forcimi I Transparencës në drejtësi” mbështetet financiarisht nga Misioni I Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Kjo përmbatje eshte e organizates CFID dhe jodmosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e donatorit.