Rreth 30 zyrtarë për informim nga sistemi prokurorial e gjyqësor në Kosovë u trajnuan për transparencë në drejtësi. Për dy ditë radhazi ata ishin pjesë e punëtorisë “Forcimi i transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, të organizuar nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID). Qëllimi i kësaj punëtorie ka qenë përmirësimi dhe rritja e transparencës në sistemin e drejtësisë në raport me mediat dhe publikun. Pjesëmarrësit kanë qenë zyrtarë për informim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, të të gjitha prokurorive themelore, si dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe gjykatave në vend.
Publikimi i lajmeve të pakonfirmuara po shkakton dëm të madh te viktimat dhe në vet procesin e hetimeve, u tha në këtë punëtori të mbajtur në tri sesione të ndara.
Udhëheqësja e zyrës për informim në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu konsideroi se publikimi i lajmeve pa konfirmimin e zëdhënësve të gjykatave është gabimi themelor.
Në punëtorinë dy-ditore u theksua edhe nevoja për numër më të madh të stafit në fushën e komunikimit.
Sfidat në realizimin e niveleve të komunikimit u përmendën edhe nga përgjegjësi për komunikim publik në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Bedri Gashi.
Menaxheri i projektit, Fadil Miftari tha se kjo punëtori ka synuar përmirësimin dhe rritjen e transparencës së sistemit të drejtësisë në raport me mediat dhe publikun.
Në sesionet e kësaj punëtorie, Fadil Miftari shtoi se kanë qëllim të diskutohet nëse këto dy mekanizma të drejtësisë janë të gatshme të qasen me publikun në epokën digjitale.
Punëtoria e mbajtur në Durrës u organizua nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID) në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe u financua nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK.
Projekti “ Forcimi I Transparencës në drejtësi” mbështetet financiarisht nga Misioni I Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Kjo përmbatje eshte e organizates CFID dhe jodmosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e donatorit.