Jemi jashtëzakonisht të lumtur të shpallim nisjen e projektit “Kundërshtimi i Stereotipeve Negative për Komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë përmes Iniciativës Mediatike.” Ky projekt me mbështetjen e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), realizohet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID) në partneritet me agjencinë e lajmeve KosovaPress.
Ky projekt synon të forcojë kapacitetet e të rinjve nga këto komunitete, duke i pajisur ata me aftësi për të sfiduar stereotipet negative përmes krijimit të storieve mediatike që ndërtojnë një narrativë pozitive, gjithëpërfshirëse dhe pa paragjykime.
Gjashtë të rinj nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian do të përfitojnë nga një program trajnimi profesional tre-mujor në KosovaPress, ku do të zhvillojnë aftësi në fushat e Gazetarisë, Produksionit dhe Videografisë.
Pas përfundimit të trajnimit, të rinjtë do të kenë mundësinë të bashkohen me redaksi të ndryshme të mediave në Kosovë për të punuar si praktikantë me pagesë. Kjo përvojë praktike do t’u ndihmojë atyre të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre dhe të kontribuojnë në mënyrë aktive në krijimin e përmbajtjeve që nxisin një perceptim të drejtë dhe pozitiv për komunitetet e tyre.
Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë.