Në mbrojtje të gjuhës rome, rrëfimet e personaliteteve që janë kthyer në zë të komunitetit

04/10/2025

Në një studio të vogël po mbahet gjallë zëri i gjuhës, kulturës dhe identitetit rom. Tash e 18 vjet, në frekuencat 107.3 ofrohet program i pasur në këtë gjuhë. Radio “Romano Avazo” është radio e parë e themeluar në Kosovë që transmeton program 24 orësh në gjuhën rome.

“Zëri rom”, kështu e mban emrin radio që e udhëheq Fatmir Menekshe, i cili njëherësh është drejtor i organizatës joqeveritare “Durmish Asllano”.

Gjuha rome në Prizren është folur para më shumë se 700 vjetësh, shprehet ai teksa thotë se është ruajtur me fanatizëm.

“Gjuha rome është e pasur, është ruajtur me fanatizëm. Pasi që asnjëherë nuk ka qenë gjuhë administrative edhe nuk ka qenë që romët e pasur vendin e tyre apo shtetin e tyre që pas pushtimit të kenë harruar edhe të jenë asimiluar konkretisht. Ata gjithmonë kanë qenë udhëtarë, bredhacakë, i kanë përzënë. Andaj edhe ata vetëm gjuhën e kanë marrë sepse nuk kanë pasur shtëpi apo pasuri që ta marrin me vete. Edhe e kanë ruajtur si një lloj kodi që të flitet mes atyre”, deklaron ai.

Çdo ditë, Fatmiri udhëheq emisione në gjuhën amtare, që përveç rolit si gazetar shprehet se qëllim ka ruajtjen e gjuhës rome.

Në Prizren e kemi mbajtur jashtëzakonisht mirë në krahasim me komunitetet tjera, siç është asimiluar komuniteti rom dhe e ka harruar gjuhën. Dhe kemi shumë romë shqipfolëse, në Prizren qëndrojmë më mirë falë këtyre aseteve të trashëgimisë shpirtërore, kulturore, radio, teatri. Ata i kanë mundësitë që përpos të hapin frekuencat 107.3 të dëgjojnë gjuhën rome, qofshin lajme ditore, emisione relaksuese, debate të ndryshme, qofshin zhanre të tjera dhe biseda të këndshme në gjuhën amtare që të mos harrohet kurrë”, thotë ai.

Organizata joqeveritare “Durmish Asllano” ndryshe njihet si boshti i organizimeve kulturore të romëve në Prizren, ku radio është pjesë e saj.

Avdi Misini, është përkthyesi i parë në gjuhën rome i licencuar në Kosovë nga sistemi gjyqësor.

Pjesëtarë të komunitetit rom tani e tutje do të kenë mundësinë që të kërkojnë që rastet e tyre gjyqësore të trajtohen në gjuhën rome.

Pas hapjes së konkursit për herë të parë për licencimin e përkthyesit në gjuhën rome, unë kam arritur që t’i kalojë ato fazat e rekrutimit për përkthyesin në gjuhën rome në kuadër të sistemit gjyqësor. Dhe nga shkurti i këtij viti jam përkthyes i vetëm i licencuar për çiftin e gjuhëve gjuha shqipe – gjuha rome. Dhe kjo tanimë ka hapur rrugën shumë më dinjitoze që pjesëtarë të komunitetit rom të kenë të përfaqësuar gjuhën e tyre, mirëpo edhe të drejtat e tyre në sistemin gjyqësor të Kosovës”, thotë ai.

Gazetari dhe aktivisti i shoqërisë civile në vitin 2008 ka përkthyer edhe Kushtetutën e Kosovës.

Së fundmi është ligjërues edhe i kurseve të ndryshme në gjuhën rome.

Nga viti 2012 jam edhe ligjërues edhe i kurseve të ndryshme për gjuhën rome, kulturën edhe traditën e romëve. Kjo falë edhe mbështetjes së ndryshme, organizatave të ndryshme që japin mbështetje për të ju dhënë një kurajo studentëve dhe të rinjve të komunitetit të cilët dëshirojnë të mësojnë pak më shumë për gjuhën, kulturën dhe historinë. Marrë parasysh që jemi pjesë e modernizimit dhe gjithsesi koha moderne dhe teknologjisë po ndikon edhe në vet asimilim të gjuhës dhe në këtë mënyrë ne po tentojmë që përmes kurseve të ndryshme dhe nga viti i kaluar 2024 jemi pjesë e qendrës së gjuhëve pranë Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, ku mbajmë kurse të rregullta edhe për gjuhën rome”, shton Misini.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, janë mbi 9 mijë rom në Kosovë, ku rreth 85 për qind e tyre e flasin gjuhën e tyre amtare. Gjuha rome mësohet vetëm në shkollat fillore në Prizren, si mësim fakultativ nga viti 2011.

Fatmir Menekshe thotë se një gjë e tillë duhet të ndodhë në të gjitha komunat ku ka pjesëtarë të komunitetit rom.

“Në të gjithë Republikën e Kosovës, secila komunë ku jeton komuniteti rom duhet ta ketë të drejtën që të merr orë shtesë, mësim plotësues në gjuhën e saj amtare që të mësojë për historinë, gjuhën dhe traditat e komunitetit të tij. Por, fatkeqësisht kjo po ndodhë vetëm në Prizren”, shprehet Menekshe.

Tutje, nga viti 2022 është zyrtarizuar gjuha rome në Komunën e Prizrenit dhe të Graçanicës për çështje të komunitetit rom. Megjithatë, ende nuk ka përkthyes të angazhuar nga komuna.

Ish-zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani thotë se kanë punuar që të ndodhë një gjë e tillë.

Në komunën e Prizrenit është gjuhë zyrtare në përdorim por ende nuk kemi përkthyes të cilët paguhen nga institucioni i Komunës së Prizrenit. Gjithashtu edhe në Komunën e Graçanicës nuk ka përkthyes. Duke marrë parasysh që komisioneri për gjuhë është duke u marrë me këtë çështje për t’i futur në sistem dhe të jenë edhe përkthyesit e gjuhës rome të jenë pjesë e përkthimeve në këto dy komuna ku duhet të përkthehen të gjitha informacionet, sidomos konkurset dhe shumë informacione të tjera që kanë të bëjnë me komunitetin rom”, përfundon ai

(Ky produkt është krijuar në bashkëpunim midis CFID dhe KosovaPress, brenda kuadrit të projektit: “Kundërshtimi i stereotipeve negative për komunitetet Roma, Ashkali dhe Egjiptianë të Kosovës përmes iniciativës mediatike”, i cili financohet nga UNMIK).