Qendra për Inovacione e Zhvillim trajnon gratë në avancimin e bizneseve të tyre

04/11/2024

Shumë gra nga regjioni i komunës së Mitrovicës kanë ndarë përvojat e tyre nga fusha e biznesit gjatë një trajnimi të mbajtur sot në Mitrovicë, në kuadër të projektit ‘Mbështetja për gratë në zhvillimin e bizneseve të tyre’, që po implementohet nga organizata joqeveritare ‘Qendra për Inovacione dhe Zhvillim’, e cila përmes Zyrës ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, financohet nga Agjencia sllovake për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar ‘Slovak Aid’.

Fokusi kryesor në këtë trajnim ishte shfrytëzimi i teknologjisë së inteligjencës artificiale (AI) për zhvillim të produkteve dhe modelit të biznesit, ndërsa veç tjerash u zhvillua punë praktike, ku pjesëmarrësit e këtij trajnimi punuan në grupe dhe mënyra individuale për të zhvilluar një listë produktesh, model të ri në biznes, apo receta duke përdorur AI.

Ekspertja për fuqizimin ekonomik të gruas Linda Baleta nga  ‘Qendra për Inovacione dhe Zhvillim’, tha se AI duhet vënë në shërbim pavarësisht profesionit, ose llojit të biznesit që gratë udhëheqin. Sipas saj, ky është fokusi kryesor i trajnimit të sotëm, ndërsa bëri të ditur se gjatë sesionit u shqyrtuan vegla të ndryshme të IA-së që gratë mund t’i shfrytëzojnë për zhvillimin e biznesit të tyre dhe për ta përmirësuar praninë e tyre në treg.

“Inteligjenca artificiale (AI) është këtu për të qëndruar, kështu që ne duhet ta vëmë AI-në në shërbimin tonë, pavarësisht profesionit, apo llojit të biznesit që udhëheqim. Ky është fokusi i sesionit të trajnimit me gratë pronare të bizneseve nga rajoni i Mitrovicës. Sot po shqyrtojmë veglat e ndryshme të IA-së që ato mund t’i shfrytëzojnë për zhvillim të biznesit të tyre, ide të reja kreative, dhe për ta përmirësuar praninë e tyre në treg,” ka thënë Baleta.

Në anën tjetër, Maliqe Mustafa, nga Zasella e komunës së Mitrovicës, e cila merret me bletari, tha se korrektësia me klientët, si dhe efektet pozitive të produkteve të bletës janë çelësi kryesor i suksesit të biznesit të saj.

“Ne jemi korrektë me klientët që kemi, dhe apiterapia që përdorin njerëzit po ka shumë efekte pozitive. Klientët po ndahen të kënaqur, sidomos me produkte të bletës gjithmonë jemi korrekt, prandaj kemi arritur këtu ku jemi… Trajnimet janë shumë të mirëseardhura, sepse unë kam pasur shumë përfitime si grua në biznes…Sidomos këtë trajnimin që e kemi me gratë në biznes është shumë i mirëseardhur për të gjitha gratë edhe për neve’, theksoi Mustafa.

Edhe Hata Haxhiu nga Vaganica e Mitrovicës, e cila ka dy serra të veta dhe përmes produkteve bio meret me gatim tradicional, tha se puna në biznesin e saj po shkon mirë dhe trajnimet e tilla janë shumë të mirëseardhura për të.

“Që dy vjet e kam regjistruar biznesin dhe mirë është duke shkuar puna edhe këto trajnime shumë po na vetëdijësojnë… është shumë i mirëseardhur,” sqaroi Haxhiu.Ndryshe, trajnimi sot në Mitrovicë ishte sesioni i fundit, ndërsa ‘Qendra për Inovacione dhe Zhvillim’ ka mbajtur gjithsej gjashtë sesione të trajnimit në fushën e biznesit me gratë nga gjithë Kosova, prej të cilave katër online dhe dy me prani fizike, ku janë trajtuar tema si “Pjesëmarrja dhe prezantimi i duhur në panaire”, “Rrjetëzimi, standardet e sigurisë të cilësisë së ushqimit”, “Sigurimi i rrjetit për furnizim me produkte bazë”, “Marketingu, promovimi dhe inteligjenca artificiale për zhvillim të biznesit”, dhe tema tjera të ngjashme. 

Projekti, ” Mbeshtetje për gratë në Zhvillimin e bizneseve të tyre” – zhvillohet nga Qendra për Inovacione dhe zhvillim/CFID dhe mbështetet financiarisht nga Agjencia Sllovake për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkmobëtar/SlovakAid.